Pinë vodka dhe vendosën kufjet, detaje nga vetëhedhja e dy adoleshenteve

33 Views

Një tragjedi e rëndë ka tronditur zonën e Ilioupolit në Athinë, ku dy adoleshente 17-vjeçare u hodhën nga tarraca e një pallati 6-katësh. Njëra prej tyre humbi jetën në vend, ndërsa shoqja e saj ndodhet në gjendje kritike në spital, ku mjekët po luftojnë për ta mbajtur në jetë.

Mediat greke raportojnë se hetuesit kanë zbuluar letra dhe shënime personale të lëna nga vajzat, në të cilat ato flisnin për depresionin, presionin psikologjik dhe frikën se mund të mos përmbushnin pritshmëritë e familjeve të tyre në provimet e maturës.

Në një letër të gjetur në çantën e vajzës që humbi jetën, ajo shkruante se vuante nga depresioni dhe theksonte se prindërit e saj nuk kishin asnjë përgjegjësi për gjendjen e saj emocionale. Adoleshentja shprehte frikën se mund t’i zhgënjente në rezultatet e shkollës, ndërsa e mbyllte mesazhin me fjalë tronditëse se nuk dëshironte më të jetonte në këtë botë.

Sipas hetimeve paraprake, dy vajzat, të cilat ishin mike të ngushta, dyshohet se e kishin planifikuar së bashku aktin ekstrem. Para se të ngjiteshin në tarracën e pallatit, ato kishin konsumuar vodka.

Burime policore të cituara nga mediat greke bëjnë me dije se vajzat kanë mbyllur derën e tarracës, kanë vendosur kufje duke dëgjuar muzikë dhe më pas janë hedhur nga lartësia, duke mbajtur njëra-tjetrën për dore.

Hetuesit kanë gjetur gjithashtu një ditar edhe në banesën e vajzës tjetër, ku përshkruhej gjendja e rënduar emocionale dhe presioni që ajo ndiente për shkollën dhe provimet.

17-vjeçarja që mbijetoi pritet t’i nënshtrohet një ndërhyrjeje kirurgjikale, ndërsa mjekët vijojnë përpjekjet intensive për t’i shpëtuar jetën.

Autoritetet greke po vazhdojnë hetimet për të sqaruar plotësisht rrethanat e kësaj ngjarjeje tragjike, e cila ka shkaktuar reagime të forta dhe tronditje të madhe në opinionin publik në Greqi.

Leave a Comment