Një operacion i Policisë së Shtetit në aksin rrugor Mamurras–Laç është shoqëruar me tensione dhe përplasje me armë, duke përfunduar me arrestimin e dy personave dhe plagosjen e një 23-vjeçari të shpallur në kërkim.
Sipas njoftimit zyrtar, aksioni është zhvilluar nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale në kuadër të kontrolleve për kapjen e personave në kërkim, pas informacioneve të siguruara në bashkëpunim me partnerë ndërkombëtarë.
Në fokus të operacionit ishte Leonard Dema, nga Mamurrasi, i cili rezulton i dënuar nga Gjykata e Trentos në Itali me 7 vite burg për tentativë vrasjeje. Ndërhyrja e forcave operacionale është kryer pranë një karburanti në aksin Mamurras–Laç, ku i riu ndodhej në automjet së bashku me shtetasin A.F., 28 vjeç. Gjatë operacionit, 23-vjeçari dyshohet se ka tentuar të përplasë me automjet efektivët e policisë, duke rrezikuar jetën e tyre. Gjithashtu personi që ndodhej në automjet me 23-vjeçarin ka nxjerrë një armë zjarri dhe e ka drejtuar në drejtim të efektivëve duke qëlluar.
Policia ka reaguar për të neutralizuar situatën për pasojë i kërkuari ka mbetur i plagosur. Menjëherë pas ngjarjes, ai është transportuar me urgjencë drejt Spitalit të Traumës në Tiranë, ku po merr ndihmë mjekësore dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve.