Detaje të reja janë zbardhur nga operacioni i zhvilluar këtë të martë, në aksin rrugor Mamurras–Laç, ku pati përplasje me armë zjarri mes efektivëve të policisë dhe dy të rinjve që udhëtonin me automjet.
Sipas njoftimit zyrtar, objektiv i operacionit ishte kapja e Leonard Demës, 23 vjeç, lindur në Mamurras, i shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe i dënuar nga Gjykata e Trentos në Itali me 7 vite burg për tentativë vrasjeje.
Policia kishte siguruar informacion mbi vendndodhjen e tij dhe ndërhyri në një karburant në aksin Mamurras–Laç për ta arrestuar. Por, në momentin që ka vënë re praninë e efektivëve, i riu dyshohet se ka tentuar t’i përplasë me automjet, duke rrezikuar jetën e tyre.
Sipas autoriteteve, edhe personi që e shoqëronte, shtetasi me iniciale Amadeo Fufi, 28 vjeç, ka nxjerrë armë zjarri dhe ua ka drejtuar efektivëve të policisë.
Në kushtet e vetëmbrojtjes, sipas njoftimit, shërbimet e policisë kanë qëlluar, duke plagosur Leonard Demën. Ai është transportuar në Spitalin e Traumës, ku ndodhet nën kujdesin e mjekëve.
Ndërkohë, 28-vjeçari A.F. është arrestuar nga policia, ndërsa gjatë kontrollit i është sekuestruar edhe arma e zjarrit pistoletë që ai posedonte.