Protesta e studentëve shqiptarë në Shkup, i riu: Nuk ka institucion që prek gjuhën shqipe

14 Views

Mijëra studentë shqiptarë janë mbledhur këtë të hënë në Shkup në një protestë masive për mbrojtjen e gjuhës shqipe dhe respektimin e të drejtave kushtetuese në Maqedoninë e Veriut. Protesta nisi pasditen e sotme pranë Urës së Gurit dhe vijoi drejt Ministrisë së Drejtësisë, mes pankartave dhe thirrjeve në mbështetje të përdorimit të gjuhës shqipe në institucionet shtetërore dhe në provimin e jurisprudencës.

“Gjuha shqipe identitet, gjuha shqipe amanet, gjuha shqipe nuk negociohet”, ishte një nga sloganet kryesore të protestuesve, ndërsa një i ri deklaroi para mediave se “nuk ka institucion që prek gjuhën shqipe”, duke theksuar se studentët nuk do të ndalen deri në respektimin e plotë të ligjit për përdorimin e gjuhëve.

Sipas organizatorëve, protesta është vazhdim i lëvizjes studentore që prej muajsh kërkon mundësimin e zhvillimit të provimit të jurisprudencës edhe në gjuhën shqipe, krahas maqedonishtes. Ata kërkojnë që institucionet shtetërore të zbatojnë Kushtetutën dhe Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve.

Në protestë morën pjesë edhe studentë shqiptarë nga Kosova dhe Shqipëria, ndërsa disa prej tyre raportuan se janë përballur me kontrolle dhe ndalesa në kufi. Gjatë marshimit pati tensione me policinë dhe mediat lokale raportojnë për disa persona të arrestuar.

Pamjet nga Shkupi treguan turma të mëdha qytetarësh të veshur kuqezi, ndërsa pankarta “Mos ma përktheni të ardhmen” u kthye në simbol të protestës së sotme.

Leave a Comment