Lihtenshtejni, shteti i vogël i vendosur mes Zvicrës dhe Austrisë, po kërkon punëtorë nga vendet e Europës përmes rrjetit EURES (Shërbimi Europian i Punësimit).
Me të ardhurat për frymë më të larta në botë, vendi po tërheq vëmendjen për pagat e larta dhe kushtet e favorshme të punës.
Pozicionet e hapura përfshijnë punonjës pastrimi, parukierë, punëtorë logjistike, por edhe profesionistë në sektorët teknikë dhe financiarë, raporton A2 CNN. Njohja e gjuhës gjermane shihet si përparësi, megjithëse nuk është gjithmonë e domosdoshme.
Si pjesë e Zonës Ekonomike Europiane (EEA), Lihtenshtejni kërkon që punonjësit të pajisen me leje qëndrimi që mund të zgjasë nga 12 muaj deri në 10 vjet, në varësi të kontratës së punës.
Një tjetër arsye që e bën këtë vend jashtëzakonisht tërheqës është sistemi tatimor i favorshëm, që nxit investimet dhe shmang tatimin e dyfishtë. Edhe pse dikur njihej si një “parajsë fiskale”, sot Lihtenshtejni përmbush plotësisht standardet europiane të transparencës, duke ndarë të dhënat financiare me Bashkimin Europian.
Për shumë punëkërkues, ky mikroshtet alpin është bërë simboli i “parajsës së pagave” në zemër të Europës.