Show i AKU-së zgjati vetëm 5 ditë: Pas helmimit të studentëve të Akademisë zhbllokohet SORI-AL

12 Views

Kompania e kateringut “SORI-AL”, e përfshirë në skandalin e helmimit të studentëve të Akademisë së Sigurisë, është rikthyer sërish në aktivitet vetëm pak ditë pas bllokimit 5 ditor nga AKU.

Më 14 maj, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ndërhyri duke bllokuar aktivitetin e subjektit, pas analizave të kryera nga ISUV. Nga kontrolli laboratorik i nëntë mostrave ushqimore, një pjatë me makarona e marrë në mensën e Akademisë rezultoi e ndotur me përmbajtje të lartë të bakterit Escherichia coli dhe stafilokokut koagulazë pozitiv, ndërsa mostrat e tjera dolën konform standardeve.

Në një reagim të publikuar sot, AKU njofton se inspektimet e mëvonshme në ambientet e gatimit në Sauk dhe në kuzhinën e Garnizonit të Forcave të Armatosura nuk kanë evidentuar probleme me higjienën apo pajisjet e përdorura. Pas këtyre verifikimeve, institucioni ka vendosur të heqë masën e pezullimit për “SORI-AL”.

Shoqëria, që furnizonte studentët e Akademisë me ushqim gjatë gjithë ditës, rezulton në pronësi të Alma Tafanit, bashkëshortja e Nikolin Jakës. Ndërkohë, administratorja e kompanisë është shpallur në kërkim.

Hetimet për ngjarjen kanë çuar në arrestimin e kuzhinierit Kujtim Ballgjini dhe teknologes së ushqimit Kristjana Plaka, ndërsa një tjetër specialiste po ndiqet penalisht në gjendje të lirë.

Të dhënat zyrtare tregojnë se deri në fund të vitit 2025, “SORI-AL” ka siguruar 75 tendera nga institucionet publike, me një vlerë totale që arrin në 4.2 miliardë lekë.

Njoftimi i AKU:

Në vijim të njoftimeve të kryera nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, në lidhje me ndjekjen e rastit të helmimit të kursantëve në Akademinë e Sigurisë në Sauk, bëjnë me dije se, AKU kreu procedurën e marrjes së mostrave për higjienën ambientale dhe të pajisjeve të punës brenda ambienteve të kuzhinës së Akademisë së Sigurisë, Sauk dhe brenda ambienteve të kuzhinës së Garnizonit, të Forcave te Armatosura. Pas analizimit të tyre pranë laboratorit të Referencës ISUV, informojmë që kanë rezultuar brenda normave të lejuara për treguesit e higjienës.

Referuar këtyre raport- provave është kryer procedura e inspektimit në adresat brenda ambienteve të Akademisë së Sigurisë, Sauk, Tiranë dhe brenda ambienteve te Garnizonit, te Forcave te Armatosura, Tiranë. Në përfundim të procedurës AKU kreu zhbllokimin e aktivitetit të subjektit SORI-AL, si dhe i la detyrë të kryejë analiza autokontrolli për produktin e gatshëm brenda ambienteve të Garnizonit të Forcave të Armatosura, në zbatim të kërkesave të legjislacionit në fuqi

Leave a Comment