Shqipëria po përballet me sfida të rëndësishme në zhvillimin e kapitalit njerëzor, sipas Agjendës Kombëtare për të Drejtat e Fëmijëve 2027–2030 të publikuar për konsultim nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale. Dokumenti vlerëson se fëmijët e lindur sot në vend pritet të arrijnë vetëm rreth 63% të potencialit të tyre produktiv në moshë madhore, nën mesataren rajonale prej 69%, duke reflektuar mangësi në investimet për zhvillimin e hershëm, arsimin cilësor dhe mbrojtjen sociale.
Agjenda thekson gjithashtu se këto sfida lidhen ngushtë me zhvillimet demografike të viteve të fundit, ku të dhënat e Censusit 2023 tregojnë rënie të popullsisë, emigracion të lartë dhe thellim të pabarazive territoriale. Këta faktorë ndikojnë drejtpërdrejt në aksesin e fëmijëve në shërbime bazë, duke krijuar diferenca të dukshme mes zonave urbane dhe rurale në arsim, shëndetësi dhe mirëqenie sociale.
Dokumenti nënvizon se, pavarësisht përmirësimeve në kuadrin ligjor për të drejtat e fëmijëve, mbeten sfida serioze në garantimin e aksesit të barabartë në shërbime cilësore dhe forcimin e mekanizmave të mbrojtjes. Po ashtu, raportet e progresit të Bashkimit Evropian dhe rekomandimet e Kombeve të Bashkuara theksojnë nevojën për përmirësime në arsim, kompetenca digjitale dhe koordinim institucional, duke e vendosur zhvillimin e kapitalit njerëzor si prioritet kyç për integrimin evropian të vendit.